Të rinjtë e qendrës rinore “Epoka e Re” në Fier kanë dhënë shembullin më të mirë që nëpërmjet Street Art-it të japin një mesazh universal mbi Paqen për ditën e Rinisë.

Një graffiti 20 m i gjate ka sjellë për qytetarët e Fierit mesazhe pozitive mbi paqen dhe kundër luftës në botë.
Dëshira për t’i dhënë ngjyra qytetit dhe për të vënë në lëvizje mentalitetin e shoqërisë se një akt simbolik mund të ndikojë në ndryshimin e perceptimit, i bëri këta të rinj të mendojnë rreth këtij graffiti. “Ishte dëshira dhe iniciativa e të rinjve aktivistë të qendrës sonë që të bënin dicka ndryshe këtë vit në kuadër të Ditës Botërore të Rinisë. Ata menduan që të japin mesazhin e paqes nëpërmjet artit mural, duke i mëshuar gjithashtu edhe faktit se me vullnet dhe përpjekje sapo e vogël qoftë ajo, mund të ndryshosh gjithçka, sikurse ata bënë në këtë mur që deri më sot askush nuk e kishte vënë re, por sot e admirojnë”, është shprehur Drejtuesja e qendrës rinore “Epoka e Re” znj. Nevila Jahaj.
Iniciativa e të rinjve u bashkua me vullnetin e stafit të kësaj qendre dhe talentin e piktorit te ri fierak Endrit Haxhiraj, duke i dhuruar qytetit këtë murale të mrekullueshme dhe shoqërisë mesazhin se,promovimi i paqes dhe ndërtimi i saj duhet të jetë refren e çdo të riu.
Vetë të rinjtë u shprehën se ata e shikojnë paqen si diçka të shenjtë dhe që kërkon shumë përpjekje, kontributorë, punë për të bërë të mundur ndërtimin dhe ruajtjen e saj.
Kujtojmë se këtë vit, mesazhi i përzgjedhur nga UN për Ditën Botërore të Rinisë ishte: “Të rinjtë promovojnë paqen”, mesazh që në Fier është përcjellë në një formë dhe mënyrë ndryshe nga çdo vend tjetër ku është festuar kjo ditë.

Leave a Reply