Lindi si një aktivitet katër vjet më parë dhe sot është kthyer në një traditë të bukur dhe mjaft tërheqëse për qytetin e Fierit. “Catch a smile day”, një aktivitet i mbajtur për herë të parë në Cluj Napoca , Rumani nga një organizatë jo fitimprurëse e quajtur “Beard Brothers”, tani është kthyer në traditë e organizohet çdo vit më datë 7 gusht. Nismëtarët e këtij aktiviteti në Shqipëri katër vjet më parë ishin: Enxhi Rista dhe qendra rinore Epoka e Re në Fier, të cilët arritën ta përcjellin denjësisht dhe ta kthejnë në një ditë simbol të buzëqeshjes datën 7 gusht.
CATCH A SMILE DAY 2017 është përcjellë këtë të hënë në një atmosferë argëtuese nga të rinjtë e qendrës Epoka e Re Fier, duke i bërë orët e pasdites dhe të mbrëmjes në këtë qytet edhe më të bukura dhe relaksuese. Tullumbace të dizenjuara me mesazhe, karamele, ëmbëlsira për kalimtarët dhe buzëqeshje pafund. Kjo është panorama që ky aktivitet ka krijuar në shëtitoren dhe rrugët e qytetit Fier. Janë të rinjtë ata që bëhen një me qytetarët dhe nëpërmjet akteve simbolike arrijnë t’u shprehin atyre rëndësinë e një buzëqeshje si një element pozitiviteti për ta bërë jetën edhe më të bukur.
Buzëqesh sa herë më kujtohet shprehja që të rinjtë përdorën këtë fushatë sensibilizuese: “Të kapesh pas një buzëqeshje është njësoj si të mendosh se dielli të ngoh sa herë ti dëshiron”.
Sipas drejtueses së qendres Epoka e Re, znj. Nevila Jahaj, të rinjtë i kanë nisur përgatitjet për këtë aktivitet disa ditë më parë: “Të rinjtë punuan shumë për të krijuar bazën materiale. Kush krijonte smile stickers; kush kartona me mesazhe; kush bënte lule prej letre, tullumbace; kush u impenjua me lëpirëset; kush me këndin e “face painting”etj. Ishte një angazhim serioz, me shumë punë e përkushtim që u shpërblye, pasi në fund të gjithçkaje mesazhi është I rëndësishëm. Kjo gjë u arrit”- u shpreh znj. Jahaj.
“Catch a Smile Day” inkurajon qytetarët që të buzëqeshin dhe të falin buzëqeshje sa më shumë, si një element i rëndësishëm për të “rrëmbyer” qoftë edhe një moment të vetëm gëzimi.
Me impaktin që ky aktivitet tashmë po shpërndan në Fier, Shqipëri dhe më gjerë, synon që së shpejti 7 Gushti të kthehet në “Dita Ndërkombëtare e Buzëqeshjes” (Catch a smile day).

Leave a Reply